Published On: July 29, 2026Categories: Lajme, Lajme

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale informon opinionin se Gjykata Administrative ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka konfirmuar Vendimin e Komisionit për Vendimmarrje në Procedurë Kundërvajtëse pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të miratuar më 21.01.2026, me të cilin janë shqiptuar sanksione kundërvajtëse për përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

Procedura është iniciuar pas kërkesës për ngritjen e procedurës kundërvajtëse, të parashtruar nga supervizorët e Agjencisë, pas kryerjes së supervizionit.

Në procedurën kundërvajtëse u konstatua se më 11.04.2025, gjatë përdorimit të sistemit nacional të shëndetësisë elektronike „Termini Im“, ishte lëshuar një udhëzim në emër të një pacienteje, e cila atë ditë nuk kishte shfrytëzuar asnjë shërbim shëndetësor. Në këtë udhëzim ishin regjistruar të dhëna shëndetësore që i përkisnin një personi tjetër, ndërsa mbi bazën e tij ishin gjeneruar udhëzime shtesë dhe raporte mjekësore që përmbanin të dhënat personale të pacientes, por me të dhëna të pasakta shëndetësore.

Me këto veprime u konstatua se ishte kryer përpunim i paligjshëm i të dhënave personale, që përbën kundërvajtje sipas nenit 111, paragrafi (1), pika 2), në lidhje me paragrafët (2) dhe (3) të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Me Vendimin e Komisionit për Vendimmarrje në Procedurë Kundërvajtëse u shqiptuan këto sanksione:

  • ISHP Klinika Universitare për Gastroenterohepatologji – Shkup, në cilësinë e kontrolluesit, u gjobit me 466.632 denarë;
  • ushtruesi i detyrës së drejtorit, në cilësinë e personit përgjegjës në personin juridik, u gjobit me 18.490,92 denarë;
  • mjeku, në cilësinë e personit zyrtar, u gjobit me 21.572,74 denarë.

Me konfirmimin e Vendimit nga Gjykata Administrative, sanksionet kundërvajtëse të shqiptuara kanë marrë formë të prerë.

Agjencia rikujton se kontrolluesit janë të detyruar të sigurojnë përpunim të ligjshëm, të saktë dhe të sigurt të të dhënave personale, veçanërisht kur bëhet fjalë për përpunimin e kategorive të veçanta të të dhënave personale, siç janë të dhënat shëndetësore.

Me publikimin e këtij informacioni, Agjencia synon të informojë opinionin për procedurat kundërvajtëse të përfunduara me vendime të formës së prerë, si dhe të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e përpunimit të ligjshëm dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Lajme të ngjashme

Shikoni të gjitha
  • Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale informon publikun se […]

    Lexo më shumë
  • Në organizim të Agjencisë u mbajt Takimi i Tetë i […]

    Lexo më shumë
  • Gjatë periudhës 04–09 maj, drejtori Nakil Fetai mori pjesë në […]

    Lexo më shumë