Published On: June 4, 2026Categories: Lajme, Lajme

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale informon publikun se pranë Agjencisë janë parashtruar kërkesa nga subjekte juridike, të cilat kanë kërkuar sqarime lidhur me ofertat komerciale që marrin nga kompani private për shërbime që kanë të bëjnë me harmonizimin me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, hartimin e dokumentacionit, zbatimin e masave teknike dhe organizative, lëshimin e certifikatave dhe shërbime të tjera të ngjashme.

Lidhur me këtë, Agjencia thekson se nuk autorizon, nuk akrediton, nuk rekomandon dhe nuk promovon kompani private, konsulentë apo ofrues të tjerë të shërbimeve për harmonizim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu, Agjencia nuk konfirmon, nuk njeh dhe nuk miraton certifikata të lëshuara nga subjekte private si dëshmi për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, përveç rasteve kur kjo është parashikuar shprehimisht me këtë ligj.

Harmonizimi me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale është detyrim i çdo kontrolluesi dhe përpunuesi, i cili është i obliguar të zbatojë masa të përshtatshme teknike dhe organizative, në përputhje me natyrën, vëllimin, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit, si dhe me rreziqet për të drejtat dhe liritë e personave fizikë.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale nuk parashikon detyrim që subjektet juridike të përdorin shërbimet e një ofruesi të caktuar dhe as nuk kërkon posedimin e një certifikate të lëshuar nga një subjekt privat si kusht për harmonizim me ligjin.

Angazhimi i konsulentëve ose ekspertëve të tjerë është një vendim biznesor i çdo subjekti juridik dhe nuk përbën detyrim të parashikuar me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Agjencia u bën thirrje të gjitha subjekteve juridike që t’i shqyrtojnë me kujdes ofertat komerciale që marrin dhe, nëse kanë dilema lidhur me detyrimet e tyre ligjore ose nëse në ofertat e tilla krijohet përshtypja se shërbime apo certifikata të caktuara janë të miratuara, të rekomanduara ose të konfirmuara nga Agjencia, të drejtohen drejtpërdrejt te Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Lajme të ngjashme

Shikoni të gjitha
  • Në organizim të Agjencisë u mbajt Takimi i Tetë i […]

    Lexo më shumë
  • Gjatë periudhës 04–09 maj, drejtori Nakil Fetai mori pjesë në […]

    Lexo më shumë
  • Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Mr.Elena […]

    Lexo më shumë