
Në periudhën 8–10 shtator në Ptuj, Republika e Sllovenisë, Agjencia mori pjesë me përfaqësuesit e saj në Takimin e Shtatë të ,,Iniciativës 20i7”, i cili u organizua nga Komisioneri për Informim i Republikës së Sllovenisë. ,,Iniciativa 20i7” është një forum bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse për mbrojtjen e të dhënave personale nga rajoni i ish-Jugosllavisë, në përputhje me Deklaratën për Bashkëpunim të autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila u nënshkrua në vitin 2017 në takimin e parë të Iniciativës, me propozim të organit slloven për mbrojtjen e të dhënave personale.
Iniciativa është krijuar me qëllim të nxitjes së një bashkëpunimi cilësor dhe të qëndrueshëm ndërmjet autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave personale nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Kosova.
Në takimin vjetor u diskutua për çështje aktuale që lidhen me mbrojtjen e të dhënave në rajon. Autoritetet ndanë përvojat dhe qëndrimet e tyre mbi tema si: harmonizimi i legjislacionit kombëtar me kuadrin e BE-së për mbrojtjen e të dhënave dhe modernizimi i tyre, zbatimi i strategjive për mbrojtjen e të dhënave personale, identifikimi i rrjedhjes së të dhënave personale përmes përdorimit të platformave moderne, ndërveprimi midis mbrojtjes së të dhënave dhe inteligjencës artificiale, përdorimi i kamerave biometrike për identifikim në hapësira publike, si dhe sfidat me të cilat përballen autoritetet e mbrojtjes së të dhënave kur ballafaqohen me teknologjitë e reja me resurse të kufizuara.
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi Strategjinë për zbatimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2025–2030, ku theksoi objektivat kryesore, prioritetet dhe masat për përmirësimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurimin e zbatimit të duhur të kuadrit ligjor në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit që nxit shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira dhe mundëson sinergji në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Ky bashkëpunim intensiv bëhet edhe më i domosdoshëm në kohën e zhvillimit të shpejtë teknologjik, siç është inteligjenca artificiale, ku të drejtat e njeriut mund të rrezikohen seriozisht nëse mungon përgjigjja e duhur nga rregullatorët. Për të siguruar reagim adekuat ndaj zhvillimeve të reja teknologjike, anëtarët e Iniciativës 20i7 theksuan rëndësinë e autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave që janë të pajisura me kapacitete të mjaftueshme, politikisht, financiarisht dhe de facto të pavarura. Çdo presion politik ose i çfarëdo natyre tjetër që cenon pavarësinë e tyre duhet konsideruar i papranueshëm, pasi rrezikon sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Takimi i ardhshëm i ,,Iniciativës 20i7” do të mbahet në Maqedoninë e Veriut në gjysmën e dytë të majit 2026, nën organizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Mr.Elena […]
Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. […]
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republika e […]
